Secondary Adv

Rajoni dobët me menaxhimin e mbetjeve, mbi 83 për qind përfundojnë në landfille

Mbi 83% e mbetjeve bashkiake në Ballkanin Perëndimor depozitohen në landfille, kundrejt vetëm 23% në BE.

Ballkani Perëndimor mbetet shumë larg Bashkimit Europian në menaxhimin e mbetjeve, pavarësisht investimeve të reja në landfille, impiante riciklimi dhe projekte të ekonomisë qarkulluese. Më shumë se 83% e mbetjeve bashkiake në gjashtë vendet e rajonit vazhdojnë të depozitohen në landfille, krahasuar me vetëm 23% në Bashkimin Europian, sipas të dhënave të cituara në raportin e ri për zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.


Në disa vende të rajonit normat e riciklimit mbeten në nivele shumë të ulëta, vetëm 2-3%, veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi. Edhe Serbia, pavarësisht se ka një sistem më të zhvilluar, regjistron një normë riciklimi prej vetëm 15.5%.


Raporti vëren se gjatë vitit 2025 janë kryer investime të rëndësishme në infrastrukturën e mbetjeve, por ndërtimi i impianteve nuk është shoqëruar gjithmonë me të njëjtin ritëm reformash në financim, administrim, ndarjen e mbetjeve në burim dhe riciklim. Në pjesën më të madhe të rajonit, tarifat e shërbimit nuk mbulojnë plotësisht kostot e grumbullimit dhe trajtimit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e mbetjeve vazhdon të përfundojë në venddepozitime josanitare ose ilegale.


Shqipëria, reforma për centralizimin përballet me probleme strukturore

Për Shqipërinë, raporti evidenton se sektori i mbetjeve vazhdoi të përballej gjatë vitit 2025 me probleme strukturore dhe vështirësi në zbatim. Qeveria njoftoi reformën për centralizimin e grumbullimit dhe menaxhimit të mbetjeve nën Agjencinë e Ekonomisë së Mbetjeve, por kapacitetet institucionale vlerësohen ende të kufizuara.


Dy pjesë të rëndësishme të kuadrit ligjor, ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe ai që lidhet me përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, ishin ende në proces miratimi. Raporti evidenton gjithashtu zbatim të dobët të legjislacionit mjedisor dhe nevojën për masa urgjente kundër hedhjes së pakontrolluar të mbetjeve. Përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit parashikon që kompanitë që vendosin produkte dhe ambalazhe në treg të mbajnë një pjesë më të madhe të kostos së mbledhjes, riciklimit dhe trajtimit të tyre pasi kthehen në mbetje.


Nga ana tjetër, raporti evidenton edhe disa zhvillime konkrete. Në 15 bashki janë futur kompostimi dhe impiante për rikuperimin e materialeve, ndërsa në Berat është zbatuar një projekt pilot për ndarjen e mbetjeve që në burim. Gjatë vitit 2025 u hap gjithashtu parku i parë shqiptar i ekonomisë qarkulluese dhe vazhduan iniciativat për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve.


Serbia investon në prodhimin e energjisë nga mbetjet

Serbia ka ndjekur edhe modelin e prodhimit të energjisë nga mbetjet. Impianti i Vinçës në Beograd nisi funksionimin e plotë në vitin 2025 dhe ka kapacitet për të përpunuar rreth 340 mijë tonë mbetje në vit, të cilat përdoren për prodhimin e energjisë elektrike dhe të nxehtësisë.


Raporti evidenton njëkohësisht debatin rreth këtij modeli. Organizatat mjedisore kanë ngritur shqetësimin se investimet e mëdha në djegien e mbetjeve mund të tërheqin financimet nga parandalimi, ndarja në burim dhe riciklimi. Problemet strukturore mbeten të pranishme, ndërsa mbyllja e qendrës së menaxhimit të mbetjeve në Duboko gjatë verës së vitit 2025 bëri që mbetjet të devijoheshin drejt landfilleve josanitare dhe u shoqërua me disa zjarre të mëdha.


Mali i Zi prodhon energji nga gazi i landfillit

Mali i Zi shënoi një zhvillim tjetër në fund të vitit 2025, me nisjen e operimit provë të impiantit të biogazit në landfillin rajonal të Možurës. Impianti me fuqi 1.5 MW, i pari i këtij lloji në Ballkanin Perëndimor sipas raportit, përdor gazin e prodhuar nga landfilli për të gjeneruar energji elektrike në një sasi të barasvlershme me konsumin e rreth 400 familjeve.


Mali i Zi miratoi gjithashtu Planin e Menaxhimit të Mbetjeve 2025-2029 dhe vendosi kufizime për disa produkte plastike njëpërdorimshme. Sipas raportit, disa shitës kanë raportuar një rënie me rreth 50% të përdorimit të qeseve plastike pas hyrjes në fuqi të masave.


Maqedonia e Veriut investon në sistemin për mbi 1 milion banorë

Maqedonia e Veriut po zhvillon një nga programet më të mëdha rajonale për modernizimin e sistemit të mbetjeve. Në korrik 2025 u miratua një grant prej 2 milionë eurosh nga Western Balkans Investment Framework (WBIF) për përgatitjen e fazës së dytë të projektit rajonal të menaxhimit të mbetjeve.



Projekti është pjesë e një pakete më të madhe që përfshin një kredi prej 55 milionë eurosh nga BERZH dhe një grant prej 21.7 milionë eurosh nga Bashkimi Europian. Sistemi synon të krijojë shërbime moderne të menaxhimit të mbetjeve për mbi një milion banorë në 45 bashki. Megjithatë, raporti vëren se zbatimi i strategjisë së ekonomisë qarkulluese ka ngecur dhe mbikëqyrja e organizatave që menaxhojnë përgjegjësinë e prodhuesve mbetet problem.


Bosnjë-Hercegovina hap qendër të re rajonale

Në Bosnjë-Hercegovinë, një nga zhvillimet kryesore ishte hapja në prill 2025 e qendrës së re të menaxhimit të mbetjeve në Živinice. Landfilli sanitar dhe impianti i riciklimit u ndërtuan sipas standardeve të BE-së dhe u shërbejnë rreth 95 mijë banorëve. Financimi përfshiu një kredi prej 5 milionë eurosh nga BERZH dhe grante nga Suedia dhe Bashkimi Europian.


Megjithatë, raporti vlerëson se qëndrueshmëria e projektit do të varet nga rritja e ndarjes së mbetjeve, tarifat që mbulojnë kostot dhe forcimi i kapaciteteve institucionale. Bosnjë-Hercegovinës vazhdon gjithashtu t’i mungojë një strategji e unifikuar kombëtare për ekonominë qarkulluese, ndërsa politikat mbeten kryesisht të fragmentuara mes niveleve të ndryshme të qeverisjes.


Kosova, shtohen me 13.6% venddepozitimet ilegale

Në Kosovë, raporti evidenton një kontrast mes përmirësimit të strategjive dhe përkeqësimit të situatës në terren. Megjithëse u miratua Strategjia e Integruar e Menaxhimit të Mbetjeve 2024-2035, numri i venddepozitimeve ilegale të identifikuara u rrit me 13.6%, nga 403 në vitin 2023 në 458 në vitin 2024.


Një nga pengesat kryesore mbetet mungesa e financimeve për landfille sanitare dhe impiante për trajtimin e mbetjeve. Sipas strategjisë së Kosovës, nevojiten rreth 500 milionë euro investime gjatë dekadës së ardhshme për të arritur objektivat për reduktimin e depozitimit të mbetjeve në landfille dhe rritjen e riciklimit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat